Nishori: Jam i lumtur që pas rrëfimit tim, dy burra të tjerë kanë kërkuar ndihmë
Ramadan Nishori, burri i parë që është rrëfyer hapur për përvojën e tij si viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka treguar se rrëfimi i tij publik ka shërbyer si nxitje që edhe të tjerë të ndërmarrin hapin e vështirë për të kërkuar ndihmë.
Në një intervistë për emisionin Interaktiv Talks, Nishori tha se pas daljes së tij publike më 14 prill, dy burra të tjerë – të dhunuar gjatë periudhës së luftës – janë paraqitur në organizatën KCRT për të kërkuar mbështetje.
“Jam shumë i lumtur dhe krenar që pas rrëfimit tim, më 14 prill, dy burra (të dhunuar gjatë luftës), kanë ardhur në shoqatë (KCRT) dhe kanë kërkuar ndihmë. Kjo më bën të ndihem akoma më krenar për atë që kam dalë dhe kam rrëfyer. Jam shumë falënderues gjithë shoqërisë kosovare për mbështetjen që ma kanë dhanë. Vetëm ata dy që kanë dalë është shumë, shumë e rëndësishme për mua”, ka thënë Nishori në një intervistë për emisionin Interaktiv Talks.