Nis shpërndarja e thëngjillit falas për punëtorët e KEK-ut
Mëngjesin e së martës ka nisur shpërndarja e thëngjillit falas për punëtorët e KEK-ut. Një gjë e tillë është konfirmuar nga Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës.
“Sot filloi shpërndarja e thëngjillit falas për punëtorët e KEK-ut. Urime, ta shpenzoni me të mira në familjet tuaja”, është njoftimi i sindikatës në Facebook.
Me këtë rast është shfuqizuar vendimi i vitit 2018, që e kishte ndaluar dhënien e thëngjillit si formë dhurate për punëtorët e KEK-ut. Vendimi ishte marrë në Qeverisjen Haradinaj.
Shpërndarja e thëngjillit për punëtorët e KEK-ut po bëhet kur në vend veçse është paralajmëruar sfida e furnizimit me energji elektrike. Kësisoj, qytetarëve të shumtë u është shfaqur tashmë problemi i ngrohjes gjatë periudhës së dimrit.
Ditë më parë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, i ka propozuar edhe disa nga mënyrat e kursimit të energjisë elektrike në mënyrë që të arrihet që qytetarët ta sigurojnë ngrohjen edhe në mënyra të tjera.