Ngrihet aktakuzë kundër ish-drejtorit të FBI-së, James Comey - NACIONALE

Ngrihet aktakuzë kundër ish-drejtorit të FBI-së, James Comey

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Një trup gjykues në Virgjinia të Shteteve të Bashkuara ka ngritur aktakuzë ndaj ish-drejtorit të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), James Comey. Dy pikat e aktakuzës lidhen me dëshminë e tij në Kongres.

Comey, i cili për një kohë të gjatë është kritikuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, akuzohet se e ka gënjyer Kongresin gjatë dhënies së dëshmisë në shtatorin e vitit 2020 për atë nëse e kishte autorizuar rrjedhjen e të dhënave të klasifikuara në media.

Duke reaguar pas lajmit për ngritjen e akuzave, Comey tha se është i pafajshëm dhe se ka “besim të madh në sistemin juridik federal”, raporton televizioni BBC.

Aktakuza vjen disa ditë pasi presidenti amerikan i bëri thirrje kryeprokurores së ShBA-së, Pam Bondi, që të hetohen në mënyrë më agresive kundërshtarët e tij politikë, përfshirë Comey-n.

Hetimi po udhëhiqet nga Lindsey Halligan, prokurore e Distriktit Lindor të Virgjinias, e cila në të kaluarën ka qenë avokate personale e Trumpit dhe rolin e ri e mori të hënën.

Seanca fillestare, në të cilën akuzat lexohen formalisht para të pandehurit në gjykatë, është caktuar për 9 tetor në qytetin Alexandria.

Kryeprokurorja Bondi tha në një deklaratë se aktakuza “e pasqyron përkushtimin e Departamentit të Drejtësisë për t’i mbajtur përgjegjës ata që abuzojnë me pozitat e pushtetit për ta çorientuar popullin amerikan”.

Comey ngarkohet me një pikë të aktakuzës për dhënie të deklaratave të rreme dhe në një tjetër për pengim të drejtësisë.

Deklaratat që dyshohet se ishin të rreme janë ato kur Comey i kishte thënë një senatori në Komisionin për Drejtësi se ai nuk kishte “autorizuar dikë tjetër në FBI për të qenë burim anonim në raportimet e mediave” në lidhje me një hetim të FBI-së, që supozohet të jetë hetimi për ndërhyrjen e mundshme të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në ShBA.

Lajme të ngjashme