Nga IKD flasin për pasoja serioze nga moskonstituimi i Kuvendit - NACIONALE

Nga IKD flasin për pasoja serioze nga moskonstituimi i Kuvendit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gëzim Shala nga Instituti Kosovar për Drejtësi ka folur për pasoja serioze nga mosthemelimi i Kuvendit të Kosovës.

Ai në një intervistë për Ekonomia Online tha se bllokada institucionale ka lënë 17 agjenci dhe institucione të pavarura me përbërje të paplotë, ndërsa katër prej tyre janë tashmë jofunksionale për shkak të mungesës së kuorumit.

“Realisht, mosfunksionimi i Kuvendit nuk ka pasoja vetëm përbrenda Kuvendit. Ka pasoja të gjera në shumë fusha. Krahas aspekteve të tjera, të cilat vetëm i kemi përmend, që aktualisht nuk ka një qeveri të rregullt, nuk ka një qeveri, e cila mbikëqyret nga ana e Kuvendit, nuk ka një qeveri, e cila i raporton Kuvendit, nuk ka një Kuvend, i cili miraton ligje. Ka edhe një sërë pasojash të tjera specifike edhe në institucione të ndryshme të pavarura, në organet e ndryshme kolegjiale, të cilat rrezikojnë mosfunksionimin, madje disa edhe nuk janë duke funksionuar për shkak të mungesës së kuorumit, për shkak të pamundësisë së Kuvendit për të zgjedhur anëtarët e rinj”, tha ai.

“Bazuar në monitorimin e Institutit të Kosovës për Drejtësi, janë gjithsej 17 institucione apo agjenci të pavarura përbërja e të cilave nuk është e kompletuar nga ana e Kuvendit të Kosovës. Prej tyre i kemi katër institucione apo agjenci, të cilat aktualisht janë jofunksionale për shkak të mungesës së kuorumit dhe rrjedhimisht puna e tyre aktualisht është e bllokuar për shkak të mungesës së kuorumit të anëtarëve të zgjedhur nga ana e Kuvendit”, tha për EO, Shala.

Lajme të ngjashme