Nga AAK e kërkojnë mbështetjen e deputetëve për Ligjin për Pensionistët kontributdhënës
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po e kërkojnë ndihmën e deputetëve për ta çuar përpara nismën për mbështetjen e Ligjit për Pensionistët kontribut dhënës.
Kështu të enjten përmes një konference për medie deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Shemsedin Dreshaj, ka thënë se kushtëzimi i përvojës së punës prej 15 vjetësh për të gëzuar pensionin është jologjik, i dëmshëm dhe diskriminues për punëtorët të cilët viteve 90-ta ishin larguar dhunshëm dhe jashtëligjshëm nga institucionet shtetërore të pushtetit të atëhershëm.
“Kërkesa bënë fjalë për plotësim-ndryshimin e Ligjit Nr 04/L-131, për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, apo me konkretisht, për nenin 8 pika 2 të këtij ligji. Kërkojmë largimin e këtij neni diskriminues te këtij ligji, i cili parasheh që çdo person të ketë të paktën 15 vite përvoje pune para 01. 01. 1999 në mënyrë që të përfitojë pensionin kontributdhënës”, tha Dreshaj.