Netanyahu thotë se forcat izraelite kanë kaluar matanë lumit Litani të Libanit
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të premten se forcat e vendit të tij kanë avancuar në pozicione në veri të lumit Litani të Libanit, kur Izraeli po i përshkallëzon sulmet kundër militantëve të Hamasit, pasi paralajmëroi mijëra libanezë që të largoheshin nga fshatrat e tyre.
Avancimi i forcave izraelite erdhi në kohën kur Shtetet e Bashkuara pritën të premten në Uashington përfaqësues izraelitë e libanezë të mbrojtjes për të ndjekur një plan të ndërmjetësuar nga Uashingtoni për arritjen e paqes mes dy vendeve dhe për çarmatosjen e Hezbollahut të mbështetur nga Irani, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Qëllim tjetër i bisedimeve të Uashingtonit është edhe përforcimi i armëpushimit të arritur më 16 prill, i cili ka dështuar që t’i ndalë luftimet ndërkufitare. Aeroplanët ushtarakë izraelitë kanë kryer sulme në jug të Libanit, ndërsa Hezbollahu ka hedhur dronë e raketa drejt Izraelit.
Ushtria izraelite tha këtë javë se i kishte zgjeruar operacionet tokësore përtej një zone të sigurisë që trupat e saj e kanë pushtuar nga 16 prilli. Gjatë një vizite në kufirin Izrael – Liban të premten, Netanyahu tha se ushtarët kishin shkuar edhe më tej, matanë lumit Litani, i cili rrjedh në drejtimin lindje – perëndim në jug të Libanit.
“Forcat tona e kanë kapërcyer [lumin] Litani dhe kanë avancuar në pozicione kontrolluese. Ne jemi duke operuar në Bejrut, në Bekaa, përgjatë tërë gjerësisë së frontit, dhe jemi duke i dhënë një goditje shtypëse Hezbollahut” – tha Netanyahu para personelit ushtarak, sipas transkriptit të publikuar nga zyra e tij.