Netanyahu thotë se faza e dytë e planit të paqes për Gazën është afër - NACIONALE

Netanyahu thotë se faza e dytë e planit të paqes për Gazën është afër

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se faza e dytë e planit të ndërmjetësuar nga ShBA-ja për përfundimin e luftës në Gaza është afër, por çështje kyçe ende mbeten për t’u zgjidhur.

Sipas fazës së dytë të planit të presidentit amerikan, Donald Trump, Izraeli duhet t’i tërheqë trupat e veta nga Gaza, ndërsa parashikohet të themelohet një autoritet kalimtar dhe të dislokohet një forcë ndërkombëtare e sigurisë. Hamasi duhet të çarmatoset dhe rindërtimi i Gazës duhet të fillojë.

Kur kanë mbetur pyetjet pezull rreth çarmatosjes së Hamasit, një zyrtar i lartë la të kuptohej se grupi është i gatshëm që t’i shqyrtojë “ngrirjen ose magazinimin” e armëve të mbetura, raporton televizioni BBC.

Shtetet e Bashkuara dhe ndërmjetësit e tjerë kanë qenë duke u bërë presion të dyja palëve për të kaluar në fazat e ardhshme të planit të Trumpit.

Sipas raportimeve të mediave arabe, një ekip i Kryqit të Kuq dhe pjesëtarë të krahut të armatosur të Hamasit po i vazhdojnë kërkimet për pengun e fundit të vdekur që ende ndodhet në Gaza, ish-oficerin policor, Ran Gvili, në zonën Zeitoun të qytetit Gaza.

Dy muaj pas hyrjes në fuqi të armëpushimit, të dyja palët vazhdojnë që ta akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje pothuajse të përditshme të paktit. Forcat izraelite vazhdojnë që ta kenë nën kontroll më shumë se gjysmën e Rripit të Gazës, ndërsa Hamasi kryesisht është rikthyer në pjesën tjetër të enklavës.

Duke folur para gazetarëve, Netanyahu tha se do të zhvillonte diskutime të rëndësishme me presidentin amerikan, Donald Trump, në fund të këtij muaji për atë se si të sigurohet zbatimi i fazës së dytë të planit. Një zëdhënës qeveritar izraelit njoftoi të hënën se takimi mes dy udhëheqësve do të mbahet më 29 dhjetor.

Lajme të ngjashme