Netanyahu: Atyre që duan të largohen nga Gaza duhet t’u mundësohet, u është mohuar kjo e drejtë
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se banorëve të Gazës që duan të largohen nga enklava duhet t’u mundësohet një gjë e tillë dhe se, sipas tij, kjo e drejtë deri më tani u është mohuar, shkruan gazeta "The Times of Israel".
Netanyahu tha se porsa të kthehen të gjitha pengjet izraelite dhe porsa të hapet pikëkalimi në Rafah, “ne do të jemi të lumtur po ta shohim Egjiptin duke e lejuar cilindo banor të Gazës që dëshiron të largohet, ta bëjë këtë, sepse kjo nuk ka ndodhur deri më sot”.
“Cilitdo banor të Gazës që dëshiron të largohet, duhet t’i mundësohet një gjë e tillë dhe kjo e drejtë u është mohuar” – shtoi ai, duke thënë se plani 20-pikësh i Shteteve të Bashkuara për Gazën “e përfshin atë të drejtë: e përcakton parimin se cilido banor i Gazës që dëshiron të largohet, mund të largohet. Nuk po dëbohet askush, por nëse një person dëshiron të largohet, lëreni që të largohet. Nëse Egjipti e pranon këtë, mendoj se kjo është shumë pozitive”.
Ambasada palestineze në Egjipt ka bërë thirrje për rihapjen e pikëkalimit kufitar në Rafah, i cili ka qenë kryesisht i mbyllur që nga koha kur forcat izraelite hynë në qytet në majin e vitit 2024, në mënyrë që palestinezëve që janë duke banuar në Egjipt t’u lejohet rikthimi në Gaza.
Egjipti vazhdimisht është zotuar se do të bllokojë çfarëdo “zhvendosjeje” të banorëve të Gazës nga enklava, duke e cilësuar çështjen si “vijë të kuqe” për Kajron.