Nesër mbahet aksion protestues pas vendimit të Apelit për rastin e Marigona Osmanit - NACIONALE

Nesër mbahet aksion protestues pas vendimit të Apelit për rastin e Marigona Osmanit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se të mërkurën do të mbaj aksion protestues pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila ka vendosur që ta dërgojë në rigjykim lëndën e vrasjes së Marigona Osmanit.

Përmes një komunikate për media, kjo organizatë ka njoftuar se aksioni do të mbahet nga ora 12:00 te Pallati i Drejtësisë.

“Këtë të mërkurë, ne thërrasim në mobilizim popullor për ta kundërshtuar praktikën e sistemit të drejësisë në Kosovë i cili është duke treguar që nuk funksionon për gratë, duke ua pamundësuar atyre çfarëdo lloj drejtësie. Vendimi i Gjykatës së Apelit që ta dërgojë në rigjykim lëndën e vrasjes së Marigona Osmanit na revolton tej mase meqë përtej këtij rasti reflekton një praktikë të shpeshtë në rastet e dhunës ndaj grave dhe femicidit, e cila e kthen rastin në pikën zero, duke krijuar pasiguri për gratë në Kosovë dhe rrezikuar që Marigonës t’i bëhet padrejtësi edhe për së vdekuri.” – thuhet në njoftim.

Tutje, shkruan se Gjykata e Apelit ka rënë pre e kritikës së saj, pasi nuk është e qartë dhe e plotë në vlerësimin e aktgjykimit.

“Gjykata e Apelit në vendimin e saj bie pre e vetë kritikës së saj sepse nuk është e qartë dhe e plotë në vlerësimin e aktgjykimit. Arsyetimet dhe kërkesat e Gjykatë së Apelit ku ndër të tjera, vihet në pikëpyetje mënyra mizore me të cilën Dardan Krivaqa, me ndihmën e Arbër Sejdiut e kanë vrarë Marigonën janë shqetësuese për ne. Përfshirja e motivit të vrasjes, e cila po ashtu është problematike në vetvete nuk e përjashton se vrasja është kryer në mënyrë mizore dhe kjo vërtetohet përgjatë tërë aktgjykimit të Gjykatës Themelore edhe me anë të dëshmisë së ekspertit mjekoligjor si dhe raporteve forenzike. Një sugjerim i tillë e rivendosë theksin tek motivet e vrasjes dhe jo akti per se, çka për ne është e papranueshme.” – shkruan tutje.

Njoftimi i plotë:

Lajme të ngjashme