Në Vushtrri sulmohet me armë ekipi i KRU Mitrovica, i dyshuari në arrati
Një ekip i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica” është sulmuar me armë zjarri teksa po kryente inspektime për zbulimin e lidhjeve ilegale të ujit.
Lajmin për media e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, i cili bëri të ditur se i dyshuari ndodhet në arrati.
“Personi në fjalë dyshohet për disa vepra penale, përfshirë ‘Sulm ndaj personit zyrtar’ dhe ‘Mbajtje e paautorizuar e armës dhe përdorim i armës’”, deklaroi Preteni.
Sipas tij, rasti ka ndodhur në fshatin Pantinë të komunës së Vushtrrisë.