Në prill nisin seancat kundër Gjermanisë në GjND, akuzohet për lehtësim të “gjenocidit” në Gaza
Gjykatësit e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të fillojnë që t’i dëgjojnë pretendimet e palëve muajin e ardhshëm për rastin e paraqitur nga Nikaragua, shtet që e akuzon Gjermaninë për lehtësim të “gjenocidit” në Gaza për shkak të përkrahjes ndaj Izraelit në luftën kundër Hamasit, thanë zyrtarët.
Para dy javëve, Nikaragua paraqiti një rast kundër Gjermanisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke thënë se Berlini “po e lehtëson kryerjen e gjenocidit dhe... ka dështuar në detyrimin e vet për të bërë gjithçka të mundshme për ta parandaluar kryerjen e gjenocidit” në Gaza, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Në pretendim përfshihet edhe pezullimi i fondeve nga Gjermania për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë.
Gjykata me seli në Hagë thotë se do të mbajë seanca dëgjimore më 8 dhe 9 prill në mënyrë që të dyja shtetet t’i paraqesin deklaratat e tyre.
“Seancat do t’i kushtohen kërkesës për tregimin e masave të përkohshme që ndodhen në Aplikimin e Nikaraguas” – thuhet në një deklaratë të GjND-së.
Nikaragua ka kërkuar nga GjND-ja që të marrë një qëndrim të shpejtë të përkohshëm kundër Gjermanisë para se rasti të analizohet thellësisht nga gjykatësit.