Në prag të zgjedhjeve të mesit të mandatit, bie përkrahja për presidentin Biden
Përkrahja për presidentin amerikan, Joe Biden, ka rënë dhe i është afruar edhe më shumë nivelit më të ulët në presidencën e tij vetëm dy javë para zgjedhjeve të mesit të mandatit në ShBA, që do t’i japin formë pjesës së mbetur të mandatit, sipas një ankete të agjencisë “Reuters”.
Në bazë të anketës dyditore gjithëkombëtare, vetëm 39 për qind e përkrahin performancën e presidentit Biden, një për qind më pak se para një jave.
Jopopullariteti i Bidenit po e nxit përhapjen e përshtypjes së republikanët do ta marrin kontrollin në Dhomën e Përfaqësuesve dhe, me gjasë, edhe në Senat më 8 nëntor. Kontrolli i vetëm njërës dhomë të Kongresit do t’ua jepte mundësinë republikanëve për t’ia bllokuar presidentit agjendën legjislative.
Pas ardhjes në pushtet në janar të vitit 2021, në mesin e pandemisë së koronavirusit, mandati i Bidenit është karakterizuar nga vështirësitë ekonomike të krizës globale shëndetësore, përfshirë rritjen e inflacionit. Këtë vit, përkrahja për të ka rënë deri në 36 për qind në maj dhe qershor.