Në Fushë-Kosovë ofrohet punë “vetëm për 5 waktlikee”, shkelet ligji kundër diskriminimit - NACIONALE

Në Fushë-Kosovë ofrohet punë “vetëm për 5 waktlikee”, shkelet ligji kundër diskriminimit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një mundësi punësimi është shpallur në internet për gratë ose vajzat që duan të punojnë në Fushë-Kosovë. Megjithatë, një kusht që është paraqitur nga punëdhënësi anonim ose punëdhënësja anonime duket se përbën shkelje të Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

“Mundesi punsimi, Fushë Kosovë, Vetem 5 waktlikee, sektoriste në Dyqan” – thuhet në shpalljen e publikuar nga një anëtar anonim në grupin “Peswaktlee” në “Facebook”, që ka 13 mijë e 700 anëtarë, raporton gazeta "Nacionale".

Grupi “Peswaktlee” u kushtohet personave që i falin pesë kohët e Namazit, njëra nga shtyllat e Islamit.

Sidoqoftë, kushti fetar për punësim, qoftë edhe në sektorin privat, përbën shkelje të Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Çfarë thotë Ligji?

Në nenin 1 të Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi thuhet: “Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i një kornize të përgjithshme për parandalimin dhe luftimin e diskriminimit në bazë të kombësisë apo lidhjes me ndonjë komunitet, origjinës sociale apo kombëtare, racës, etnisë, ngjyrës, lindjes, origjinës, seksit, gjinisë, identitetit gjinor, orientimit seksual, gjuhës, shtetësisë, besimit fetar dhe besimit, përkatësisë politike, mendimit politik apo mendimeve të tjera, gjendjes sociale ose personale, moshës, gjendjes familjare ose martesore, shtatzënisë, lehonisë, gjendjes pasurore, gjendjes shëndetësore, aftësisë së kufizuar, trashëgimisë gjenetike ose ndonjë baze tjetër, me qëllim të zbatimit të parimit të trajtimit të barabartë.”

Në nenin 4, pika 1.1. e përshkruan “Diskriminimin e drejtpërdrejtë”.

“Diskriminimi i drejtpërdrejtë konsiderohet kur një person trajtohet në mënyrë më pak të favorshme sesa trajtohet, ka qenë i trajtuar ose do të trajtohet një person tjetër në një situatë të krahasueshme, sipas një apo më shumë nga bazat e përcaktuara në nenin një (1) të këtij Ligji” – thuhet në ligj.

Në nenin 2 thuhet se ky ligj zbatohet në sektorin publik dhe privat, ndaj personave fizikë dhe juridikë.

Lajme të ngjashme