Ndotja e Mjedisit me Azbest dhe Materialeve me Përmbajtje Azbesti (MPA) – Efektet Toksike. - NACIONALE

Ndotja e Mjedisit me Azbest dhe Materialeve me Përmbajtje Azbesti (MPA) – Efektet Toksike.

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë, u prezantuan rezultatet e dy projekteve nga udhëheqësi i tyre, Prof. dr. Lulzim Zeneli me tematikat: Kontaminimi i Qumështit me Metale të Rënda dhe Biomarkerët e Efekteve: Kontaminimi dhe Vlerësimi i Rrezikut; dhe Ndotja e Mjedisit me Azbest dhe Materialeve me Përmbajtje Azbesti (MPA) – Efektet Toksike. Projekti i parë trajton çështjen e kontaminimit të qumështit me metale të rënda, një problem i cili ka ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin publik. Duke përfshirë një analizë të thellë të përmbajtjes së makroelementeve dhe mikroelementeve esenciale në qumësht, si dhe përcaktimin e përmbajtjes së metaleve toksike si Kadmiut (Cd) dhe Plumbit (Pb) në zonën e fshatrave të Obiliqit, gjetjet tregojnë se përmbajtja e këtyre dy metaleve të rënda tejkalonte vlerat e lejuara sipas Standardeve të Federatës Ndërkombëtare të Qumështit (IDF Standard 1979) dhe sipas Komisionit Codex Alimentarius.Ky zbulim shërben si një sinjal i rëndësishëm për nevojën e masave urgjente për të mbrojtur shëndetin e komunitetit lokal dhe për të përmirësuar praktikat bujqësore në zonën e prekur, si dhe për zhvillimin e politikave për mbrojtjen e konsumatorëve. Ky projekt u financiua nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).

Në anën tjetër, projekti i dytë fokusohet në ndotjen e mjedisit me azbest dhe materialet që përmbajnë azbest. Azbesti është një material i rrezikshëm që mund të shkaktojë shumë probleme shëndetësore, duke përfshirë sëmundje të organeve të frymëmarrjes dhe kancerin e mushkërive. Përmes identifikimit të efekteve toksike të ndotjes së mjedisit me azbest, ky projekt ofron një bazë të rëndësishme për zhvillimin e strategjive për të mbrojtur shëndetin e publikut dhe për të promovuar një mjedis të pastër.

Këto projekte nuk janë të rëndësishme vetëm për fushën shkencore, por edhe për të rritur vetëdijesimin e shoqërisë për rëndësinë e një ushqimi të shëndetshëm dhe mbrojtjen e mjedisit. Përmes rezultateve të këtyre studimeve, informacioni i nevojshëm mund të përhapet në mënyrë që të ndikojë në politikat dhe sjelljet e konsumatorëve, duke promovuar një mjedis më të shëndetshëm dhe më të qëndrueshëm për të gjithë.

Pjesëmarrës në këtë prezantim ishin edhe kryesuesja e Këshillit Drejtues, Znj. Majlinda Haxhikadrija Ramadani, rektori i UFAGJ, Profesor Drilon Bunjaku së bashku me Prorektorët, Nazli Tyfekçi dhe Arben Boshnjaku. Rektori në fjalimin e tij përshëndeti dhe uroi profesorin Zeneli për iniciativën dhe kontributin e tij për shkencën dhe universitetin, dhe ndër te tjera tha se Universiteti UFAGJ, si një institucion i përkushtuar për zhvillimin shkencor dhe akademik, përmbush rolin e tij duke promovuar dhe mbështetur aktivitetet dhe iniciativat që kontribuojnë në ngritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe të universitetit në tërësi.

Lajme të ngjashme