Ndërpritet kontrata për ndërtimin e ‘Stadiumit të Qytetit’ në Gjilan - NACIONALE

Ndërpritet kontrata për ndërtimin e ‘Stadiumit të Qytetit’ në Gjilan

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka treguar se komuna e Gjilanit ka ndërprerë kontratën për ndërtimin e Stadiumit të Qytetit.

Hyseni tha se ky vendim është marrë pas bisedave të zhvilluara me dy grupet e tifozëve, Skifterat nga Gjilani dhe Intelektualët nga Drita, si dhe me ekipet, pas dyshimeve se ka pasur shkelje dhe konflikt interesi.

“Sot kemi ndërprerë kontratën për Stadiumin e Qytetit, duke zhbllokuar kështu procesin dhe krijuar mundësinë për realizim sa më të shpejtë të projektit”, tha Hyseni në një konferencë për media.

Hyseni tha se nga analizat e projektit kanë gjetur shkaqe që i ka obliguar ta ndërpresin kontratën.

“Nga muaji janar i vitit 2022 bashkë me Ministrinë e Kulturës jemi angazhuar të analizojmë thellësisht sfidat e paraqitura në projektin e stadiumit të Gjilanit, në mënyrë që të dakordohemi për planin e veprimit dhe të mobilizojmë resurset e nevojshme njerëzore dhe financiare për dinamizimin e punimeve në përmbylljen e këtij projekti. Kjo analizë ka rezultuar me gjetje të cilat na kanë obliguar të ndërpresim kontratën aktuale për shkak të shkeljeve të shumta që janë identifikuar”, tha Hyseni.

Kreu i Gjilanit tha se për këtë çështje kanë siguruar mbështetje edhe nga Qeveria.

“Kemi siguruar mbështetje nga Qeveria e Republikës së Kosovës për realizimin e procedurave të nevojshme administrative dhe sigurimin e buxhetit për realizimin e projektit të stadiumit të kategorisë së 4 në Gjilan”, u shpreh tutje ai.

Lajme të ngjashme