Ndarja e mandateve po kristalizohet, Cakolli tregon si pritet të duket legjislatura e re
Pas verifikimit dhe procesimit të të gjitha vendvotimeve në nivel vendi, ndarja aktuale e mandateve në Kuvendin e Kosovës është e qartë dhe, sipas rezultateve aktuale, nuk pritet të ndryshojë nga votat e përfaqësive diplomatike apo nga votat me kusht. Kështu ka bërë të ditur Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik.
Sipas Cakollit, shpërndarja aktuale e mandateve është: Lëvizja Vetëvendosje (LVV) 56 mandate (të paktën 17 gra), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 23 mandate (të paktën 7 gra), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 15 mandate (të paktën 5 gra) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 6 mandate (të paktën 2 gra).
Ai theksoi se votat nga përfaqësitë diplomatike, ndonëse me përqindje të lartë në favor të LVV-së (ngjashëm me zgjedhjet e 9 shkurtit), “nuk prodhojnë asnjë ndryshim” në numrin e mandateve. Njësoj, edhe votat me kusht – që përgjithësisht ndjekin trendin e votimit në vend – nuk kanë potencial real për të ndryshuar shpërndarjen e ulëseve.
Sipas vlerësimit të tij, të vetmet vota që mund të ndikojnë në rezultat mbeten ato me postë, megjithëse ndikimi i tyre do të ishte i kufizuar maksimalisht në 1 deri në 2 mandate.