Ndalohet një person për vdekjen e punëtorit në KEK
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka ndaluar për 48 orë një person lidhur me vdekjen e një punëtori në KEK.
Sipas Prokurorisë, aksidenti ka ndodhur më 20 gusht gjatë transportimit dhe zhvendosjes së kabllove 6kV, ku viktima dyshohet se ka rënë në kontakt me tensionin elektrik dhe ka pësuar lëndime fatale.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë Policia e Kosovës, Inspektorati i Punës, KPMM dhe Inspektorati i Brendshëm i KEK-ut, të cilët kanë ndërmarrë veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Personi me inicialet A.K. dyshohet për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Prokurori i rastit do të shqyrtojë provat e mbledhura dhe, brenda afatit ligjor, do të vendosë për masat e mëtejshme ndaj të dyshuarit.