Ndalimi i dinarit, BE e “shqetësuar për pasojat": Do të ndikojë në mbështetjen financiare të serbëve
Sot ka hyrë në fuqi Rregullorja e re e BQK-së, e cila parasheh edhe ndalimin e dinarit serb në Kosovë, ndonëse siç është shpjeguar ky ndalim do të bëhet përmes një periudhe të tranzicionit.
Bashkimi Evropian është shprehur sërisht, duke theksuar se është e shqetësuar për “pasojat” në jetën e serbëve të Kosovës.
Tutje, BE-ja ka përmendur mungesën e konsultimeve paraprake.
“Bashkimi Evropian merr parasysh Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila pritet të hyjë në fuqi sot. Rregullorja synon të rrisë transparencën e flukseve financiare, të sigurojë stabilitetin financiar dhe të luftojë pastrimin dhe falsifikimin e parave. BE-ja vëren se Rregullorja do të ndikojë edhe në mbështetjen financiare që serbët e Kosovës marrin nga Serbia. BE-ja është e shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën për shkak të mungesës së konsultimeve paraprake, veçanërisht për ndikimin e tij në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment”, theksohet në reagimin e BE-së.