Ndalimi dinarit: Guvernatori i BQK-së e pret në takim shefin e Zyrës së BE-së
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili është takuar me Ambasadorin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ku është biseduar për Rregulloren e re të BQK-së.
Sipas njoftimi të BQK-së, në këtë takim është diskutuar me theks të veçantë për rregulloren e re.
Në njoftim është thënë se BQK-ja ka sqaruar për shefin e Zyrës së BE-së se rregullorja nuk kufizon pranimin e mjeteve euro e as nuk e ndalon aktivitetin e cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jobankare të licencuara nga BQK.
“Më tej u sqarua se Rregullorja në fjalë nuk kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro në bankat e licencuara dhe as nuk ndalon aktivitetin këmbimor të cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jobankare të licencuara nga BQK. Gjithashtu, u diskutua për mundësitë ekzistuese dhe qasjen në financa përmes kanaleve të ndryshime financiare të licencuara për operim në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.” – thuhet ndër të tjera.
Për këtë takim ka shkruar edhe Szunyog i cili e ka pyetur Ismailin për punën e zbatimit të këtij vendimi.
“U takova me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili dhe diskutuam rregulloren e ndryshuar për operacionet me para të gatshme, e cila gjithashtu rregullon procesin e trajtimit dhe tërheqjes nga qarkullimi të kartëmonedhave dhe monedhave euro dhe valutave të tjera që dyshohet se janë të falsifikuara.”
"E pyeta edhe se si do të zbatohet pasi që pritet të ndikojë veçanërisht në jetesën e qytetarëve në zonat me shumicë serbe. Shpreha shqetësimin për faktin se ka shumë pak kohë për përshtatje para hyrjes në fuqi të rregullores.” – ka shkruar Szunyog.