NASA e fillon me sukses misionin “Artemis I” për programin e Hënës - NACIONALE

NASA e fillon me sukses misionin “Artemis I” për programin e Hënës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Misioni historik i NASA-s, “Artemis I”, u nis me fluturimin e realizuar me sukses në orët e hershme të mërkurën pas disa muajve të pritjes. Me këtë mision synohet që të dërgohet një anije kozmike pa njerëz përreth Hënës, duke e hapur rrugën që NASA të dërgojë astronautë në sipërfaqen e saj për herë të parë në gjysmë shekulli.

Raketa me gjatësi prej 98 metrash e nisi fluturimin në orën 1 e 47 minuta pas mesnatës sipas kohës lokale. Në majën e saj ndodhej anija kozmike “Orion”, që është ndarë nga raketa pas arritjes në hapësirë. Kjo anije kozmike është e dizajnuar për të mbajtur njerëz brenda saj, por gjatë këtij misioni testues nuk ka njerëz në të.

Anija kozmike “Orion” pritet të bëjë rreth dy milionë kilometra, duke shkuar më larg se cilado anije kozmike tjetër që është dizajnuar për fluturim me njerëz në të. Pas sjelljes rreth Hënës, anija kozmike do të kthehet në Tokë, duke e përfunduar fluturimin për rreth 25 ditë e gjysmë.

Gjatë misionit, inxhinierët e NASA-s do ta vëzhgojnë me kujdes performancën e anijes kozmike për të vlerësuar nëse ajo është e gatshme për t’u përdorur në misionin e parë me ekuipazh për ta kryer orbitën rreth Hënës, që është planifikuar për vitin 2024.

Lajme të ngjashme