Nagavci uron për ditën botërore të mësuesit: E kam ndier bashkë me ju shqetësimin e situatës së fundit me grevën - NACIONALE

Nagavci uron për ditën botërore të mësuesit: E kam ndier bashkë me ju shqetësimin e situatës së fundit me grevën

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, përmes një statusi në Facebook, ka uruar të gjithë mësuesit e Republikës së Kosovës për ditën e tyre.

Ajo ka thënë se e ka ndier bashkë me ta shqetësimin e situatës së fundit me grevën, megjithëse qeveria në të cilën ajo bën pjesë, i ka futur në ankthin e mosekzekutimit të pagave.

Muaji i fundit s’ka qenë i lehtë. Edhe një herë, mësuesit ishin protagonistët, të mbështeturit e të kritikuarit. E kam ndjerë bashkë me ju shqetësimin e situatës së fundit me grevën. Jam shumë e lumtur të shoh vullnetin e shumicës prej jush për fillim të vitit mësimor, ky vullnet ishte aty edhe në fillim të shtatorit dhe përgjatë gjithë grevës. Pasioni dhe përkushtimi juaj për mësimdhënie shkon përtej çdo ndikimi e presioni. Për këtë ju jam falënderuese!”

Tutje Nagavci, ka shkruar edhe për gjendjen e keqe në arsim, për të cilën mësuesve u drejtohet me fjalët: “Fajtorët i dini ju”.

“Si ministri jemi maksimalisht të angazhuar në rregullimin e sektorit të arsimit, të cilin e kemi gjetur me shumë mangësi në të gjitha hallkat e funksionimit të saj, që ndër vite, është prekur pothuajse më së rëndi dhe pasojat po i vuajmë ende. Dhe padyshim, fajtorët nuk janë të panjohur. I dini ju, të nderuar mësues, po aq mirë, sa secili nga ne.”

Tutje, në statusin e saj, Nagavci sjell një rrëfim personal se si ajo është rritur e se si po i rrit fëmijët, por pa e qartësuar atë që momentalisht është shqetësimi i vërtetë i mësuesve, pra a do t'i marrin pagat e muajit shtator.

Kujtojmë se mësuesit po insistojnë në “të drejtën”, siç e quajnë ata, të pagës për muajin shtator, muaj ky kur mësuesit grevuan. Në anën tjetër, pushteti i Lëvizjes Vetëvendosje po këmbëngul në “të drejtën”, siç e quajnë ata, të pezullimit nga paga për mësuesit për muajin shtator.

Lajme të ngjashme