Nagavci ia hedh fajin SBAShK-ut për pagat: I lanë në baltë anëtarët e vet
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se sipas ligjit, nuk ka paga për ata që nuk punojnë.
Krejt këtë, Qeveria po e përdor si arsyetim për të mos ua ekzekutuar pagat mësimdhënësve që respektuan grevën.
Ajo mes tjerash ka sulmuar SBASHK-un, duke tentuar që t’i lë fajtorë ata për situatën e krijuar e duke thënë se i la në baltë anëtarët e sindikatës.
“Është definitive që ligji për greva neni 18 e përcakton qartë se mospunë nuk ka pagesë dhe është e vërtetë që ne këtë e kemi diskutuar më shumë se një herë me kryesinë e SBASHK-ut duke u siguruar që të përcjellin mesazhin te mësimdhënësit, në mënyrë që vendimet t’i marrin të bazuara në argumente”, ka thënë Nagavci në Context.
Ajo theksoi se orët e humbura do të kompensohen.
“Në një situatë të tillë, ku për fat të keq kemi një kryesi të Sindikatës së Arsimit që i la në baltë të gjithë anëtarët e vet me një papërgjegjësi të plotë dhe madje edhe në këtë situatë kur do të duhej të ishin në diskutime për të parë se a mund të realizohet ndonjë gjë ata vazhdojnë me kërcënime se nuk do të kompensohen orët. Si qeveri jemi në dijeni për gjendjen socjo-ekonomike dhe për inflacionin si dhe jemi të vetëdijshëm për ligjet në fuqi dhe orët e humbura duhet të zëvendësohen”, shtoi ministrja e Arsimit.
Vlen të përmendet se sot u raportua se SBASHK-u do të mblidhet pasi Qeveria nuk ua ekzekutoi pagat, ku pritej edhe të diskutohej lidhur me këtë ështje.
