Myftiu Tërnava uron Kurban Bajramin - NACIONALE

Myftiu Tërnava uron Kurban Bajramin

4 vjet më parë

nga Arbër Ramadani

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka uruar qytetarët e Kosovës festën e Kurban Bajramit, në emër të Bashkësisë Islame dhe institucioneve të saj.

Urimi i Tërnavës:

Vëllezër e motra!

Deshi i Madhi Zot, që pas dy vjetëve, për shkak të pandemisë Covid-19, megjithëse jo në kapacitet të plotë, këtë vit besimtarëve myslimanë iu mundësua udhëtimi drejt vendeve të bekuara për të kryer haxhin, që është një gëzim shtesë yni në këtë festë të Kurban-Bajramit.

Festat e dy Bajrameve, si për nga karakteri, po ashtu edhe për nga ndikimi, janë festat më popullore për besimtarët myslimanë, ngase në këto festa besimtarët si në asnjë rast tjetër, përjetojnë shpirtërisht e emocionalisht afërsinë me Krijuesin, ngrohtësinë e familjes e farefisit, respektin e mirëkuptimin për tjetrin, ndihmën dhe përkrahjen për vëllain e për ata që kanë nevojë.

Të dashur besimtarë!

Festat fetare te ne, në vazhdimësi kanë kultivuar begatitë shpirtërore para atyre materiale, urtësinë para euforisë, drejtësinë para zullumit, paqen para konfliktit e dhunës dhe solidaritetin e bamirësinë para koprracisë, ndaj, ne lutemi dhe urojmë që edhe ky Bajram të jetë në frymën e tillë.

Duke ju uruar për festën e madhe të Kurban-Bajramit, lus Zotin për shëndet, mbarësi, begati, dashuri e harmoni në familjet tuaja.” thuhet ndër të tjera në urim.