Mustafa: Qeveri e papërgjegjshme, nuk bëri asgjë për krizën energjetike
Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa ka kritikuar Qeverinë Kurti për mos-veprimi ndaj krizës energjetike dhe për mos-mbështetjen e qytetarëve për t’u lehtësuar barrën.
Mustafa e ka quajtur Qeverinë Kurti të papërgjegjshme.
“Na ndajnë disa javë nga fundi i verës dhe kriza do të përkeqësohet në mënyrë dramatike, pasi po vijnë ditët më të ftohta të vitit. Kjo qeveri e papërgjegjshme nuk bëri asgjë për të përballuar krizën, për të mbështetur qytetarët dhe për t’ua lehtësuar barrën që rëndon mbi ta”, ka thënë Mustafa në konferencë për media të mbajtur të martën.
Mustafa ka kërkuar nga qeveria që të veprojnë menjëherë dhe të rikthejë furnizimin stabil me energji elektrike.
"Qeveria duhet të veprojë menjëherë sepse nuk ka më kohë për të humbur, prandaj propozojmë një plan që do të ketë efekte të menjëhershme dhe afatgjate në uljen e shpenzimeve për qytetarët dhe kompanitë dhe stabilitetin afatgjatë të furnizimit me energji të vendit tonë”, ka bërë thirrje Mustafa.