Murseli akuzon Kushtrim Ibrahimin për dezinformim rreth lejes për Bulevardin e Qytetit në Gjilan - NACIONALE

Murseli akuzon Kushtrim Ibrahimin për dezinformim rreth lejes për Bulevardin e Qytetit në Gjilan

1 ditë më parë

nga NACIONALE

Asambelisti i LDK-së në Gjilan, Gentrit Murseli, ka reaguar ndaj drejtorit të Shërbimeve Publike në Gjilan nga radhët e VV-së, Kushtrim Ibrahimi, duke e akuzuar se po mashtron qytetarët lidhur me çështjen e lejes për ndërtimin e Bulevardit të Qytetit.

Sipas Murselit, postimi i fundit i Ibrahimit nuk e dëshmon ekzistimin e lejes për bulevardin, por, siç thotë ai, lidhet me një tjetër projekt.

“Drejtori i Shërbimeve Publike në Gjilan Kushtrim Ibrahimi, përmes postimit të tij të fundit ka dëshmuar se ose nuk është i informuar për çështjen që po mbron, ose po tenton qëllimisht ta dezinformojë opinionin publik”, ka shkruar Murseli.

Ai ka shtuar se dokumenti i publikuar nga Ibrahimi nuk e rrëzon pretendimin e tij, por, sipas tij, e konfirmon atë.

“Në përpjekje për t’i hedhur poshtë pretendimet e mia se ndërtimi i Bulevardit të Qytetit nuk ka leje, ai në fakt vetëm i ka vërtetuar ato”, ka deklaruar Murseli.

Murseli shtoi se dokumenti i publikuar nuk është leje për Bulevardin e Qytetit.

“Dokumenti që ka publikuar nuk është leje për Bulevardin e Qytetit. Ai vërteton vetëm se Komuna posedon leje ndërtimore për objektin e Administratës Komunale me etazhitet “B+P+5””, ka shkruar ai.

Tutje, asambelisti i LDK-së ka thënë se publikimi i një lejeje për objektin e Komunës nuk përbën përgjigje ndaj kërkesës për lejen e bulevardit.

“Pra, kur qytetarët kërkojnë lejen për bulevardin, drejtori publikon lejen për objektin e Komunës. Kjo nuk është përgjigje. Kjo është shmangie nga pyetja kryesore!”, ka theksuar Murseli.

Lajme të ngjashme