Murati i reagon LDK-së: Nëse duan të ofrojnë kundëragumentin e inflacionit, do duhej të bëjnë përllogaritjen e shifrave
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, iu ka reaguar zyrtarëve të LDK-së, të cilët ia kanë hedhur poshtë pretendimet për rritje të qarkullimit të bizneseve në këtë vit.
Sipas tij, ekonomistët e LDK-së nuk kanë njohur të mjatueshme për këtë proces.
Në profilin e tij në “Facebook”, Murati ka fajësuar LDK-në për rritje të inflacionit.
“Ekonomistët e LDK-së nëse duan të ofrojnë kundëragumentin e inflacionit, do duhej të kishin njohuritë e mjaftueshme që të bëjnë përllogaritjen e shifrave të përshtatura për inflacion (adjusted for inflation). Por nuk e bëjnë asnjëherë - ose sepse nuk dijnë ta bëjnë llogaritjen, ose dijnë ama atëherë do ta humbnin argumentin se do u duhej ta pranonin që edhe kur hiqet inflacioni del se ka rritje të theksuar - e kundërta e asaj që ata vazhdimisht proklamojnë rrejshëm. Dhe kur jemi te rritja e çmimeve, rritja më e madhe ka ndodhur tek produktet bazike ushqimore, një pjesë si rezultat i rritjes globale të çmimeve, por pjesa më e madhe e rritjes ka ardhur si rezultat i pangopshmërisë së supermarketeve - gjë që dëshmohet edhe me rritjen e fitimit neto të tyre. Dhe ishte pikërisht LDK-ja me ekonomistët e saj, që sot derdhin lot krokodili për inflacionin, të cilët e kundërshtuan Ligjin për Çmime Tavan, për të mundësuar supermarketet të rrisnin çmimet në kurriz të qytetarëve”, ka shkruar ai.