Murati i kundërpërgjigjet opozitës: Shpenzuam më shumë se krejt qeveritë tjera
Ministri i Financave Hekuran Murati, ka demantuar opozitën dhe disa media të cilat sipas tij, kanë deklaruar se qeveria ka bllokuar ekonominë sepse nuk po shpenzon.
Sipas tij të dhënat nga raporti që iu referohet opozita tregojnë të kundërtën, sepse kjo qeveria ka shpenzuar më shumë se krejt qeveritë e tjera.
“Ditëve të fundit, nga opozita por edhe nga disa media, kemi parë një fushatë agresive e cila pretendon se qeveria ka bllokuar ekonominë, sepse nuk po shpenzon. Mirëpo, të dhënat, nga po ai raport të cilit i referohet opozita, tregojnë të kundërtën.
Nga grafiku më poshtë, mund të shihet se periudha 6-mujore e parë e vitit 2022, për sa i përket shpenzimit është më e lartë se të gjitha vitet paraprake, madje edhe më e lartë se viti 2021, kur kishte edhe zgjedhje.
Pra, argumenti se qeveria nuk po e mbështetë ekonominë e vendit, nuk qëndron aspak, sepse sic edhe mund të shihet nga grafiku, shpenzimet dhe pagesat nga buxheti i shtetit janë më të lartat ndonjëherë”, ka shkruar Murati.
Tutje ai thotë se për opozitën ndoshta mbështetja për subvencionimin e kategorive të ndryshme nuk është zhvillim ekonomik.
“Po, për opozitën ndoshta edhe nuk konsiderohet zhvillim ekonomik kur një nënë me shtesat që merr për fëmijët blen qumësht nga fermeri i fshatit, sepse opozita më me dëshirë ato para do t'ia jepte një kompanie në emër të punëve shtesë pa asnjë procedurë a bazë ligjore, dhe atë shpenzim do t'a quante investim kapital e zhvillim ekonomik.
Për opozitën ndoshta mbështetja për subvencionimin e kredive investuese për prodhuesit vendorë nuk është zhvillim ekonomik, sepse në buxhet kjo mbështetje figuron si shpenzim tek kategoria Subvencione e Transfere, e jo si Shpenzim Kapital. Dhe këtë opozita e quan skemë sociale. Sepse për opozitën, zhvillim ekonomik është vetëm atëherë kur paratë e taksapaguesve ua jep supermarketeve.
Për opozitën as rritja e subvencioneve për bujqit nuk është mbështetje e ekonomisë, sepse po të pyetej opozita, më mirë është të ipen 12 milionë euro për një tender të vetëm për konsulencë, sesa të mbështeten bujqit për sigurimin e bukës së vendit”, ka shkruar Murati.
