Murati – Hotit: Qeveria jonë po i bën edhe terminalet shtetërore, edhe çerdhet
Ministri i Financave, Hekuran Murati ka replikuar ndaj kritikave të ish-kryeministrit, Avdullah Hoti, ku ky i fundit ka komentuar ndarjen e buxhetit për rinovimin e terminaleve doganore.
Murati përmes një postimi në Facebook ka shkruar se qeveria e tyre është duke i bërë edhe terminalet shtetërore edhe çerdhet, ndërsa sipas tij qeveritë e kaluara nuk i kanë bërë as terminalet dhe as çerdhet.
“Le ta pyet dikush deputetin Hoti se, sa çerdhe i patën ndërtu me paratë që i paskan kursye nga privatizimi terminaleve gjatë kohës sa ky me partinë e tij kanë qenë në qeverisje. Qeveria jonë po i bën edhe terminalet shtetërore, edhe çerdhet! Ata para nesh, as terminale, por as çerdhe”, ka shkruar Murati.
Tutje ai ka thënë se edhe ato pak çerdhe që ishin ndërtuar nga komunat, i kanë lënë pa staf.
“U desh të vinte Qeveria jonë, që të alokohej edhe stafi prej 243 personave për të funksionalizuar çerdhet që kishin mbetur të pafunksionalizuara nëpër komuna”, ka shkruar tutje ministri i Financave.
