Muja: Policia ka përdorur telefonat e kolegëve të tyre serbë për të komunikuar
Deputeti i LV-së, Armend Muja, ka reaguar ndaj ish-kryeshefit të PTK-së, Shyqyri Haxha , i cili ka thënë e Qeveria Kurti po mashtron sepse antenat e Vala-s në veri janë vendosur në vitin 2010.
Në profilin e tij në “Facebook”, Muja ka shkruar se Policia e Kosovës nuk ka mundur të zhvillojë komunikime me telefona të Vala-s.
Madje, sipas tij, për disa nevoja ata kanë përdorur telefonat e Telekom Serbia, të kolegëve të tyre serb për të zhvilluar ndonjë komunikim telefonik.
“Unë nuk e di se kur e si janë vendosur ato antena, por një gjë e di me siguri se nga vizitat e shpeshta që i kemi bërë veriut të vendit veçanërisht në pikat kufitare 1 dhe 31, Jarinjë e Bërnjak, e përgjatë rrugëve magjistrale Policia e Kosovës nuk ka mundur të zhvillojë komunikime me telefon. Madje për disa nevoja ata kanë përdorur telefonat e Telekom Serbia, të kolegëve të tyre serb për të zhvilluar ndonjë komunikim telefonik. Dhe kjo ka qenë me dhimbshme. Po ashtu sa herë kam shkuar në atë pjesë kam parë punime në vendosjen e antenave dhe sinjali përgjatë tërë rruës nuk më ka munguar. Në këto punime në atë anë kam parë unfirormën e Policisë së Kosovës dhe atë të punëtorëve të Telekomit, të cilët sigurisht nuk i kanë marrë leje bandave kriminale siç ishte bërë dikur, por janë vendosur me leje dhe autorizim të institucioneve të Republikës”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se këto shërbime duhet të përmirësohen edhe me tutje.
“Duhet që shërbimi edhe më tejë të zgjerohet e të përmirësohet.Por, duhet pak kërkim e mbamendje për të ditur se kush ka reaguar dje, është po ai person që praktikisht e ka shkatërruar Telekomin me marrëveshje të dëmshme. Mjafton të kujtojmë atë me Z-Mobile dhe nuk ka nevojë për sqarime shtesë”, ka shkruar ai.