Muja deklarohet kundër tërheqjes së Trustit: Afër 600 mijë qytetarë nuk tërheqin asgjë
Deputeti i VV-së, Armend Muja, është shprehur kundër projektligjit, i cili do të ua mundësonte qytetarëve të Kosovës tërheqjen e një pjese të mjeteve nga Fondi Pensional.
Ai ka kërkuar nga deputetët e VV-së që të mos përkrahet iniciativa ligjore e propozuar nga opozita.
Sipas tij, tërheqja e mjeteve nuk do ta luftojë inflacionin.
“Në propozim ekziston një justifikim dhe thuhet që ky projektligj ta luftojë inflacionin dhe rritjen e çmimeve duke mos e ditur se janë e njëjta gjë. Ky kuvend e ka dhënë verdiktin më 2022. Nga BQK-ja guvernatori vlerëson se tërheqja nuk ndihmon në luftimin e inflacionit, përkundrazi e përkeqëson. FMN dhe banka botërore janë kundër. Kur bëhen propozime të tilla, paraprihet me një fushatë për gjendje të rëndë ekonomike por që nuk mbështetet me të dhëna”, ka thënë Muja.
Ai ka bërë me dije se nga kjo tërheqje do të përfitonin vetëm një pjesë e qytetarëve të Kosovës.
“Me këtë propozim nga trusti do të tërhiqen 594 milionë. Fituesit më të mëdhenj janë 66 mijë kontribuues. Gjysma e shumës tërhiqet nga 5 për qind e fuqisë punëtore. Gjysma tjetër iu shpërndahet kategorive tjera. Afër 600 mijë qytetarë të aftë për punë nuk tërheqin asgjë dhe kjo politikë nuk i ndihmon ata. Kryekëput kjo nismë është për t’i ndihmuar ata të shtresës së lartë 5 për qindshin”, ka thënë Muja.