Muharremi pas përjashtimit të tre lojtarëve nga FFK-ja: Kisha pritur derisa përfundon edhe ndeshja tjetër, pastaj masat
Analisti, Shenoll Muharremi, ka dhënë qëndrimin e tij pas përjashtimit të Edon Zhegrovës, Arijanet Muric dhe Florent Muslijës nga grumbullimi më Kombëtaren e Kosovës.
Ai ka thënë se ndoshta koha për marrjen e masave të tilla nuk ka qenë tani, pasi sipas tij, mund të krijohet ambient negativ para ndeshjeve të ardhshme.
“I besoj menaxherit të Kosovës kur është në pyetje përjashtimi nga grumbullimi i 2-3 lojtarëve për shkak të mos respektimit të rregullave. Asnjë trajner në botë nuk dëshiron me humbas lojtarë me ndikim para ndeshjeve. Menaxheri e ka për detyrë të sigurohet që ka rregulla në ekip dhe ato po respektohen nga të gjithë njësoj. Futbolli nuk është 'demokraci liberale' aty shpesh duhet me menaxhu e qeverisë me diktaturë për me i sjellë rezultatet e duhura pozitive të dëshiruara. Ndoshta timingu nuk ka qenë më i miri, ndoshta kisha pritur derisa përfundon edhe ndeshja tjetër e pastaj të ndërmerren masat. Kjo me arsye që mos të krijohet një ambient negativ para ndeshjes së ardhshme që duhet fituar.” – ka shkruar ai në Facebook.