MSH: 92 persona po trajtohen në spital nga Covid-19, ky numër mund të rritet - NACIONALE

MSH: 92 persona po trajtohen në spital nga Covid-19, ky numër mund të rritet

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në spitalet e përgjithshme të vendit, po trajtohen 92 pacientë të infektuar me Covid-19.

MSH përmes një njoftimi për media, ka bërë të ditur se disa prej tyre janë të pavaksinuar.

MSH u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen, derisa ka thënë se ky numër i personave që po trajtohen në spital mund të shkaktojë ngarkesë shtesë.

Komunikata e plotë e Ministrisë së Shëndetësisë:

Qytetarë të nderuar,

Në 24 orët e fundit në vendin tonë janë regjistruar 1853 raste të COVID-19.

Në QKUK dhe në spitalet e përgjithshme të vendit numri i pacientëve që janë duke u trajtuar për COVID-19 është 92, në mesin e të cilëve edhe të pa vaksinuar. Ky numër mund të rritet dhe të shkaktojë ngarkesë shtesë për spitalet, profesionistët tonë shëndetësor dhe për më tepër edhe humbje të jetëve të njerëzve tonë.

Me qëllim të mbrojtjes, shmangies së formave të rënda të sëmundjes dhe parandalimit të vdekjeve ju lusim që të vaksinoheni, me dozën që ju e keni në radhë, sipas ecurisë së vaksinimit tuaj.

Vaksina mbetet sot arma kryesore, jo vetëm në Kosovë, e mbrojtjes kundër COVID-19, prandaj, ju lusim që t’i përgjigjeni pozitivisht thirrjes për vaksinim, për vete, për prindërit dhe fëmijët tuaj dhe për një shoqëri të shëndetshme.

Lajme të ngjashme