MPJD reagon pas arrestimit të shtetasit kosovar në Serbi: S’kemi marrë ende informacion nga autoritetet serbe
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar pas arrestimit të shtetasit të Republikës së Kosovës, Lulzim Halili, në territorin e Serbisë. Sipas njoftimit zyrtar, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi është informuar mbrëmjen e 22 korrikut 2025 për arrestimin e Halilit nga autoritetet serbe në afërsi të qytetit Svilajnac, rreth 100 kilometra nga Beogradi.
Pavarësisht, sipas MPJD-së, përpjekjeve për të marrë konfirmim zyrtar dhe detaje lidhur me ndalimin e tij, zyrtarët serbë nuk kanë ofruar asnjë informacion.
Në të njëjtën kohë, MPJD bëri të ditur se janë informuar edhe vendet e Kuint-it dhe Delegacioni i BE-së për situatën, ndërsa ka paralajmëruar se në rast të nisjes së procedurave penale ndaj Halilit, do të kërkojë vizitë zyrtare në qendrën e ndalimit.