MPB sqaron kriteret dhe dokumentet për leje qëndrimi të përhershëm në Kosovë
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka publikuar kriteret, dokumentacionin dhe tarifat për marrjen e lejes së qëndrimit të përhershëm për shtetasit e huaj në Kosovë.
Sipas MPB-së, për të përfituar leje qëndrimi të përhershëm, personi duhet të ketë pesë vjet qëndrim të përkohshëm të pandërprerë në Kosovë. Përjashtim bëjnë rastet e ribashkimit familjar përmes martesës ose bashkëjetesës, ku kërkohen tri vjet qëndrim të pandërprerë. Të miturit mund të përfitojnë leje qëndrimi të përhershëm nëse njëri nga prindërit ka leje të përhershme, me pëlqimin e prindit tjetër.
MPB-ja thekson se aplikuesit duhet të kenë njohuri elementare të njërës nga gjuhët zyrtare dhe njohje të kulturës dhe rendit shoqëror të Kosovës, të dëshmuara përmes një testi me shkrim. Kjo kërkesë nuk vlen për fëmijët parashkollorë, personat mbi 65 vjeç që nuk janë të punësuar, ata që kanë përfunduar shkollimin në Kosovë, si dhe për të huajt, gjuha amtare e të cilëve është njëra nga gjuhët zyrtare.
Në njoftim po ashtu janë bërë publike dokumentet e nevojshme për aplikim, përfshirë dokument udhëtimi të vlefshëm, dëshmi se aplikuesi nuk është dënuar në Kosovë, dëshmi për mjete financiare, sigurim shëndetësor dhe strehim të siguruar.
Tarifat për leje qëndrimi të përhershëm janë 100 euro për qëllime pune, 70 euro për ribashkim familjar dhe 50 euro për rastet e lirimit nga shtetësia e Republikës së Kosovës.
MPB-ja ka bërë të ditur se informacione shtesë për vazhdimin e kartelës së lejes së qëndrimit të përhershëm dhe rastet e humbjes apo dëmtimit janë të specifikuara në udhëzimet përkatëse.