Motra e Kimit të Koresë Veriore e fyen rëndë presidentin e Koresë Jugore - NACIONALE

Motra e Kimit të Koresë Veriore e fyen rëndë presidentin e Koresë Jugore

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kim Yo Jong, motra e fuqishme politikisht e udhëheqësit të Koresë Veriore, Kim Jong Un, ka bërë një varg fyerjesh ndaj presidentit të Koresë Jugore, Yoon Suk Yeol, dhe administratës së tij, duke i quajtur idiotë dhe duke i krahasuar me qen.

Fyerjet erdhën pas shqyrtimit të sanksioneve të reja të njëanshme kundër Koresë Veriore. Para dy ditëve, Ministria e Jashtme e Koresë Jugore tha se është duke shqyrtuar sanksione shtesë ndaj Koresë Veriore për shkak të testimit të raketave rishtazi.

Kjo ministri gjithashtu tha se do ta shqyrtojë ndërmarrjen e hapave edhe kundër sulmeve të dyshimta kibernetike nga Koreja Veriore – që besohet se janë burim i ri kyç i financimit për programin e armëve – nëse fqinji verior bën ndonjë provokim të madh si testimi i armëve bërthamore, raporton agjencia “Asssociated Press”.

“Pyes vetes se çfarë sanksionesh do të vendosë në mënyrë të paturpshme ndaj Koresë Veriore grupi koreanojugor, asgjë më shumë se një qen i egër në arrati duke brejtur një asht të dhënë nga ShBA-ja. Çfarë pamje spektakolare!”- tha Yo Jong në një deklaratë të publikuar nga mediet shtetërore.

Ajo i quajti presidentin e Koresë Jugore dhe administratën e tij “idiotë që vazhdojnë ta krijojnë situatën e rrezikshme”.

Lajme të ngjashme