Mostrat e dëmtuara në IML: Rasti vazhdon të jetë mister dhe shteti hesht
Tri mostra të autopsisë për tri vdekje të dyshimta që ishin kryer nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në salat e operacionit në QKUK, në shtatorin e vitit 2017, dyshohet se u gjetën të dëmtuara.
Megjithëse rasti përbën një skandal në vete, ai nuk u zbulua kurrë, pavarësisht deponimit të provave dhe një denoncimi.
Gazeta Sinjali ka hulumtuar më gjatë rreth misterit të dëmtimit të këtyre mostrave dhe heshtjen e institucioneve përballë rastit – epilogu i të cilit nuk duhet dhe mbetet një mister.
“Autopsia e tre trupave të pajetë ishte kryer më 15 shtator të vitit 2017 pasi trupat ishin zhvarrosur, për çka ekziston një raport me orë të saktë për mostrat që janë marrë, pranimin e tyre dhe kthimin e trupave të pajetë te familjet, po atë ditë.
Pas 10 ditësh, ndodhi ajo që nuk pritej dhe që dyshohej se ishte e qëllimshme. Mostrat e tre trupave u gjetën të dëmtuara, fotografitë e të cilave Sinjali i ka siguruar dhe që e dëshmojnë se bëhet fjalë për këto raste.
Nga hulumtimi që ka bërë Gazeta Sinjali del se rasti ishte zbuluar nga një teknike e IML-së, e cila kishte kërkuar që mostrat të fotografohen dhe të dëshmohet gjendja e tyre. Drejtoresha e Laboratorit të Toksikologjisë, Flutura Goga-Bajrami, e cila punon pa licencë në këtë institucion, ishte vënë në dijeni për atë që kishte ndodhur, por që dyshohet se nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim.
Në dokumentacionin e këtyre rasteve, në dosjen ku ruheshin paketimet origjinale të mostrave, dyshohet se kanë munguar edhe qeset e evidencës së këtyre tri rasteve.
Dyshimet për këtë rast u ngritën pas tre vitesh, saktësisht në maj të vitit 2020, kur Policia i trokiti në derë Gogës me autorizim të Prokurorit të Shtetit, për të hetuar gjendjen e mostrave të këtyre rasteve”, shkruan Sinjali, hulumtimin e plotë të të cilit, mund ta lexoni KËTU!