“Mos luani me zjarr”, “mbështetuni tek ShBA-ja”, Ramadani tregon mesazhet që shefi i CIA-s i solli në Kosovë
Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Burim Ramadani, e ka komentuar vizitën në Kosovë të shefit të CIA-së, William Berns.
Ai ka bërë me dije se zyrtari i lartë amerikan ka sjell mesazhe të qarta për institucionet e Kosovës dhe vendet e rajonit që i ka vizituar.
Në një intervistë për gazetën Nacionale, Ramadani ka deklaruar se nder mesazhet kryesore ka qenë që të hiqet dore nga veprimet e njëanshme, të cilat mund të prekin stabilitetin e vendit.
“Në kohën kur mund të priten zhvillime të dhimbshme në Ukrainë, Lindje të Mesme, Azinë e largët, apo edhe në Amerikën Latine, liderët e Ballkanit e kanë vetëm një gjë të qartë (pas kësaj vizite!): nuk guxojnë të luajnë me zjarr! Pra, “mos luani me zjarr”, “siguria nuk është popullizëm”, “mbështetuni plotësisht tek SHBA”, “kryeni detyrat e shtëpisë”, “me trupat tona ju mbrojmë ekzistencën” besoj unë janë fjali që kanë përbërë apo nënkuptuar mesazhin kryesor në Kosovë. Bota vërtetë po përballet me përsëritjen e dimensioneve të ngjarjeve dhe lëvizjeve të viteve të 1930-ta, prandaj mesazhet e tilla duhet të kuptohen në thelb”, ka thënë Ramadani.