Molliqaj: Kurti mbetet i frikësuar në lëvozhgat e projektit të vjetër të Asociacionit
Kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti e ka shuar idenë për ripërcaktimin e kufijve, por po e kthen fuqishëm Asociacionin.
Sipas Molliqaj, Kurti do ta zbatojë Asociacionin nga frika e humbjes së pushtetit.
“Mungesa e vizionit për dialogun është prania e tepruar e vetes, deri në verbëri brenda tij dhe rreth tij. Asnjë zgjidhje e qëndrueshme nuk do të vijë për sa kohë shikimi nuk shkon kah e ardhmja. Llogaritë e Kurtit për ta zbatuar Asociacionin janë llogaritë e frikës për pushtetin e tij.
Tutje ai është shprehur se Kurti nuk ka vizion e projekt për këtë proces.
“Pa projekt e pa vizion, kështu janë ato personazhet që rriten nga dështimet e tjerëve, dhe përfitojnë nga puna e tjerëve. Kështu duket vazhdimësia. Fakti që ai u bë pjesë e këtij procesi, ku pozicionet e tij janë marrëveshjet e vitit 2011, nënkupton lëshim pe. Dhe jo që pozicionet e kaluara duhet mbajtur për ta ruajtur “fjalën e thënë”, por sepse pozicionet e reja të tij janë të vjetra dhe të dëmshme për Kosovën”, ka shkruar Molliqaj.