Mjekët e vazhdojnë grevën në Kore të Jugut, një grua vdes në autoambulancë
Autoritetet në Kore të Jugut kanë nisur një hetim për vdekjen e një gruaje në të tetëdhjetat, pasi autoambulancës në të cilën ndodhej ajo i ishte mohuar hyrja në disa spitale për shkak të grevës së vazhdueshme të mjekëve.
Pacientja vdiq në autoambulancë, pasi kishte pësuar sulm në zemër, raporton televizioni BBC.
Rreth 70 për qind e mjekëve me pozita më të ulëta kanë qenë në grevë gjatë javës së kaluar, duke protestuar kundër planeve për të trajnuar më shumë mjekë.
Ky veprim i vë nën presion dhomat e urgjencës dhe Qeveria ka pretenduar se mjekët po e rrezikojnë shëndetin publik.
Ekipi i emergjencës në qytetin Daejon të premten kishte kërkuar në disa spitale që gruaja të pranohej, por ishte refuzuar për shkak të mungesës së stafit dhe shtretërve.
Pacientja në fund ishte pranuar në një spital universitar publik, 67 minuta pas thirrjes së saj të parë për ndihmë, por u shpall e vdekur, kur arriti për trajtim.
Të martën, disa zyrtarë qeveritarë thanë se do ta hetonin rastin, për të cilin kanë raportuar gjerësisht mediat e vendit të largët aziatik.
Besohet se kjo është vdekja e parë që është e lidhur me grevën e mjekëve. Mantelbardhët po i kundërshtojnë planet për të shtuar më shumë mjekë për shkak të frikës për konkurrencë.
Dhomat për trajtim urgjent kanë qenë nën presion të konsiderueshëm, me nivel të ulët të stafit. Janë shtyrë operacione dhe pacientët janë detyruar që të transferohen në spitale të tjera, raporton mediat lokale.