Ministria e Shëndetësisë raporton për 150 të vrarë në Gaza për 24 orë
Ministria e Shëndetësisë në Gaza thotë se 150 persona janë vrarë në enklavë gjatë 24 orëve të kaluara, ndërsa 313 të tjerë janë plagosur, përderisa forcat izraelite vazhdojnë që të luftojnë me militant, edhe në pjesën veriore të territorit.
Veriu, ku lagje të tëra janë bërë rrafsh, ishte fillimisht në shënjestër të ofensivës tokësore të forcave izraelite në tetor të vitit kaluar, raporton agjencia “Associated Press”.
Ushtria izraelite tha të mërkurën se forcat e saj vranë mbi 15 militantë të Hamasit në veri të Gazës gjatë 24 orëve të kaluara dhe vunë në shënjestër infrastrukturë të militantëve në një shkollë.
Viktimat shtesë në Gaza e çojnë në rreth 26 mijë e 900 numrin e përgjithshëm të të vrarëve nga fillimi i luftës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë që kontrollohet nga Hamasi. Kjo ministri nuk i ndan të vrarët mes civilëve e luftëtarëve, por thotë se shumica e viktimave janë gra e fëmijë.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka refuzuar dy kërkesa kyçe që janë shtruar nga Hamasi në bisedimet e tërthorta për paqe, duke thënë se Izraeli nuk do të tërhiqet nga Rripi i Gazës dhe as nuk do të lirojë mijëra militantë të burgosur.