Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë: Kapen katër çekë pranë uzinës së Poliçanit
Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka bërë të ditur se janë kapur edhe katër shtetas çekë që po lëviznin pranë Uzinës së Poliçanit, që është një tjetër bazë ushtarake.
“Rreth orës 08:40 të mëngjesit të sotëm, tek një nga tunelet në Uzinën e Poliçanit, janë konstatuar lëvizje të personave të paidentifikuar. Menjëherë Policia Ushtarake në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë izoluar hyrjet e tuneleve të cilët janë pothuaj se të gjithë komunikues me njëri tjetrin dhe pas kërkimeve kanë ndaluar dy persona me kombësi çeke”.
“Rreth orës 12:30 në distancë 1.5 km larg tuneleve jashtë perimetrit të rrethimit të repartit u konstatuan dhe shoqëruan edhe dy shtetase te kombësisë çeke, bashkëjetuese të dy shtetasve të mësipërm. Personat e mësipërm janë ndaluar dhe aktualisht vazhdojnë procedurat nga autoritetet e sigurisë në vend”, ka thënë ministria përmes një njoftimi për mediat.
Ky rast ndodhi pak orë pasi tre persona të tjerë, dy rusë dhe një ukrainas u arrestuan pasi tentuan të futen në uzinën ushtarake në Gramsh të cilët lënduan dy ushtarë.