Ministria e Drejtësisë në Serbi për REL: Artan Zymberi refuzoi trajtimin mjekësor - NACIONALE

Ministria e Drejtësisë në Serbi për REL: Artan Zymberi refuzoi trajtimin mjekësor

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Artan Zymberi vdiq në burgun e Stremska Mitrovica. Familjarët po dyshojnë se ai u mbyt aty, meqenëse me datë 22 nëntor, vetëm 5 ditë pas konstatimit për vdekjen e Artanit, në të njejtin burg ishte raportuar për një shpërthim.

Aty sipas mediave serbe, kishin mbetur të lënduar 6 persona. 4 roje të burgut, e 2 të burgosur.

Meqenëse Artani mbante tatuazhe, me motive kombëtare, familjarët dyshojnë se ai u mbyt.

E për krejt këtë situatë, Ministria e Drejtësisë e Serbisë ka dhënë një përgjigjje për Radio Evropa e Lirë.

Ministria e Drejtësisë e Serbisë në një përgjigjje për REL, njoftoi se nga 3 shkurti i këtij viti, Zymberi ishte duke vuajtur dënimin me burg në Sremska Mitrovicë, me kohëzgjatje prej tre vjetësh e tetë muajsh, për veprën penale: prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve.

Atij, më parë, i ishte shqiptuar masa e paraburgimit, po ashtu në Sremska Mitrovicë, ku ndodhej që nga 29 prilli i vitit 2021.

Ministria serbe tha se kur Zymberi është marrë në mbajtje, ka deklaruar se është duke u trajtuar nga një “lloj i caktuar i sëmundjes”, por ajo tha se nuk mund të specifikojë më shumë, për shkak të Ligjit për të dhënat dhe mbrojtjen personale dhe Ligjit për kujdesin shëndetësor.

Ministria, po ashtu, tha se Zymberi nuk ka pasur me vete dokumentacion mjekësor, por se është kontrolluar disa herë nga mjeku dhe se, në bazë të gjendjes që kishte, merrte terapi adekuate.

Ministria serbe tha se ai kishte “kujdes të plotë mjekësor” dhe “kontroll të rregullt”.

Sipas saj, Zymberi, gjatë vuajtjes së dënimit, ishte referuar disa herë në një spital special të burgut në Beograd.

Ai u tha se ka refuzuar mjekimin dhe ushqimin në disa raste.

Për herë të fundit, ai ka qëndruar në këtë spital special nga 28 korriku deri më 17 shtator të këtij viti.

Pas kësaj periudhe, ai u kthye në burg në Sremska Mitrovicë me udhëzimin për terapi dhe trajtim të mëtejshëm, të cilin “ky i dënuar me vendosmëri e refuzoi”.

“Me të dënuarin është diskutuar disa herë se duke refuzuar terapinë, me dashje rrezikon shëndetin”, thuhet në deklaratën e Ministrisë serbe të Drejtësisë dhënë Radios Evropa e Lirë.

Sipas saj, mjeku ka konstatuar vdekjen e Zymberit më 27 nëntor, në ora 07:15, në shtratin e tij në burgun e Sremska Mitrovicës.

Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë bëri të ditur për REL-in se është njoftuar për vdekjen e Zymberit në burgun në Serbi, por shtoi se “për çdo pyetje për rrethanat e vdekjes, duhet drejtuar autoriteteve serbe”. REL

Lajme të ngjashme