Minibusi përplaset me një elefant, tre të vdekur e katër të lënduar në Ugandë
Të paktën tre njerëz kanë vdekur, pasi një automjet u përplas me një elefant në një park kombëtar në Ugandë, sipas zyrtarëve të shtetit afrikan.
Policia tha se katër njerëz të tjerë pësuan lëndime në incidentin që ndodhi në Parkun Kombëtar “Murchison Falls” në veriperëndim të vendit të dielën në mbrëmje.
Në automjet ndodheshin shtatë zyrtarë të Autoritetit të të Hyrave, raporton televizioni BBC.
Aksidentet me vetura janë të zakonshme në Ugandë dhe incidentet ku përfshihen kafshë të lira në natyrë janë gjithashtu duke u shtuar, pasi komunitetet që po rriten po zgjerohen në zona të mbrojtura natyrore.
Automjeti ishte duke lëvizur nga qyteti Arua për në kryeqytetin Kampala, kur ndodhi përplasja, tha policia e vendit në rrjetin X.
Të lënduarit u dërguan me nxitim në një spital lokal e më vonë në Kampala për trajtim, thuhet më tej në njoftim. Aty nuk u tregua gjendja e elefantit.
Autoriteti i Botës së Egër u bëri thirrje vozitësve që të jenë të vëmendshëm për shkak të mundësisë që kafshët të jenë duke kaluar në anën tjetër të rrugës.