Minatori grevist paralajmëron: Nëse nuk realizohen kërkesat, kthehemi sërish në grevë
Minatori Ismet Cimili, që ka qëndruar në grevë prej 10 ditësh, ka konfirmuar se greva është pezulluar, por ai ka paralajmëruar se nëse nuk përmbushen kërkesat e minatorëve grevistë, greva do të rikthehet.
Cimili ka thënë vendimi është marrë në mesnatë, duke shpjeguar arsyet e grevës.
“Kanë ardhë këta të sindikatës ka ora 01:00 e natës. Kanë thënë se do ta në plotësojnë këto kushte, për sigurim shëndetësor së pari, nuk kanë dhënë datë ndërsa për paga e gjëra tjera thanë se do të rregullohen me kohë”, tha Cimili, raporton Ekonomia Online.
“Shpresojmë se rregullohet për pagë e pak kushte më të mira dhe nuk na intereson kush zgjidhet, por që ta marrim pagën me rregull dhe t’i kemi kushtet më të mira sepse kushtet katastrofale i kemi”, u shpreh ai.
Minatori Cimili ka paralajmëruar se do të kthehen sërish në grevë nëse nuk realizohen kërkesat e tyre.
“Njëherë e kemi pezulluar kështu dhe na kanë premtuar se nuk do ta dërgojnë shumë larg, por ta shohim. Nëse nuk plotësohen kërkesat po do të kthehemi”, tha ai.
