Miliarderi rus që guxon ta kritikojë Putinin
Boris Mints është njëri nga biznesmenët e paktë rusë që flet kundër pushtimit rus të Ukrainës dhe presidentit rus, Vladimir Putin.
Shumica e njerëzve me profil të lartë në Rusi kanë qëndruar të heshur për luftën, duke i shmangur kritikat për Kremlinin.
Sipas miliarderit Mints, për këtë ekziston një shpjegim i thjeshtë: “Ata të gjithë frikësohen”.
Kremlini njihet për shtypjen e kritikëve të presidentit Putin, ndërsa përmbajtja në shumë medie kontrollohet nga qeveria.
Mints tha se secili person që e kritikon haptazi Putinin ka arsye për t’u brengosur për sigurinë personale.
Sidoqoftë, në një intervistë për BBC-në, ai tha: “Unë nuk synoj që të jetoj në strehimore kundër bombave, siç synon Putini.”
Burri 64-vjeçar, që pasurinë e ka krijuar përmes kompanisë investuese, O1 Group, të cilën e themeloi më 2003 dhe e shiti më 2018, tha se në Rusi, mënyra e zakonshme për të dënuar një pronar biznesi për mungesën e tolerancës ndaj regjimit është që të hapet një rast i fabrikuar në gjykatë kundër biznesit të tij.
“Raste të tilla kriminale do t’i prekin jo vetëm pronarët e bizneseve, por edhe familjet dhe punëtorët e tyre”, tha ai.
“Cilido udhëheqës biznesi, i pavarur nga (Putini), shuhet si rrezik, sepse ai ose ajo mund ta financojë opozitën ose të kultivojë protesta – si të tillë, këta njerëz shihen si armiq të Putinit dhe, rrjedhimisht, armiq të shtetit”, shtoi miliarderi rus./Nacionale
