Meta: Thaçi dhe të tjerët do ta mbrojnë me dinjitet luftën çlirimtare
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka përkrahur vendimin e Kuvendit të Shqipërisë për të miratuar rezolutën kundër raportit të Dick Martyt.
Në konferencën e përbashkët për medie me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Meta ka thënë se krerët e UÇK-së në Hagë do ta mbrojnë me dinjitet.
“Ajo që dëshiroj të theksoj me rastin e një pyetjeje të tillë është se çdo akt që i shërben demontimit të akuzave të Dick Martyt, ne e dimë shumë mirë kush qëndron pas këtyre akuzave, gjithçka është shumë e rëndësishme dhe shumë pozitive. Dua të shpreh bindjen e palëkundur, siç e kam pasur dhe për liderët e UÇK-së të cilët kanë fituar lirinë, ashtu ish-presidenti Thaçi dhe të gjithë liderët e tjerë të arrestuar do të mbrojnë me dinjitet luftën e ushtrisë çlirimtare. Uroj dhe besoj që shumë shpejt ata të kthehen në Kosovë”, ka deklaruar Meta.
Ai ka vlerësuar se Shqipëria dhe Kosova duhet të koordinojnë çdo veprim me njëra tjetrën.
Sipas tij, ky koordinim duhet të jetë edhe në funksion të forcimit të subjektivitet ndërkombëtar të Kosovës.