Meta: Të përkrahen vetëm nismat gjithëpërfshirëse rajonale
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, i cili sot po e viziton Kosovën.
I pari i Qeverisë së Kosovës ka falënderuar Metën për faktin që ka zgjedhur Kosovën për të përmbyllur mandatin e tij si president.
Ai ka çmuar bashkëpunimin e deritashëm dhe kontributin e Presidentit Meta për Kosovën dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së Shqipërisë në proceset e anëtarësimit të Kosovës në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, Kartën e Adriatikut, Këshillin e Evropës dhe për aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kurse, Presidenti Meta, sipas njoftimit, ka vlerësuar përpjekjet e Qeverisë në luftimin e krimit dhe të korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Lidhur me bashkëpunimin rajonal, Presidenti Meta ka thënë se duhet përkrahur vetëm nismat gjithëpërfshirëse, me trajtim të barabartë dhe lidership të qartë, sikurse Procesi i Berlinit.
Meta ka falënderuar Kryeministrin për pritjen dhe theksoi se Kosova është bërë shembull i demokracisë në rajon, që është vlerësuar edhe nga raportet ndërkombëtare.