Meta: Kosova dhe Shqipëria duhet të koordinohen më shumë në politikën e jashtme - NACIONALE

Meta: Kosova dhe Shqipëria duhet të koordinohen më shumë në politikën e jashtme

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka deklaruar se Kosova dhe Shqipëria duhet të koordinohen më shumë në politikën e jashtme dhe rajonale.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kjo është e nevojshme për rrugën e të dy vendeve drejt Bashkimit Evropian.

Shumë e përzemërt pritja nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me të cilin pata kënaqësinë të zhvilloja një bisedë tepër të frytshme. Duke vlerësuar marrëdhëniet vëllazërore mes vendeve tona dhe potencialin e jashtëzakonshëm për forcimin e tyre, theksova rëndësinë e konkretizimit efikas të marrëveshjeve ndërqeveritare të nënshkruara. Jetik realizimi i projekteve të përbashkëta që afrojnë edhe më shumë qytetarët tanë, si ndërtimi i hekurudhës Durrës-Prishtinë, me impakt në ekonominë e të dy vendeve dhe të rajonit, që do na bashkojnë më shumë dhe do ndalnin hemoragjinë demografike që na ka prekur. Nevojitet më shumë koordinim edhe në politikën e jashtme dhe rajonale, në përputhje me qëllimin e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Europian", ka shkruar Meta.

Sipas tij, Kosova është bërë shembull i demokracisë në rajon.

Lidhur me bashkëpunimin rajonal, ndamë të njëjtin vlerësim në përkrahje vetëm të nismave gjithëpërfshirëse, sikurse Procesi i Berlinit. Kosova është bërë shembull i demokracisë, luftës kundër krimit e korrupsionit, sundimit të ligjit dhe europianizimit në rajon, e vlerësuar edhe nga raportet ndërkombëtare, që meriton sa më parë liberalizimin e vizave për qytetarët e saj”, ka shkruar ai.

Lajme të ngjashme