“Merre ose leje”, Hamiti: Kurti e kuptoi presionin ndërkombëtar
Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti, ka komentuar deklaratën e Kryeministrit Kurti, i cili në Kuvend bëri të ditur, se emisarët në një moment për planin franko-gjerman, i thanë atij, se gati bëhet fjalë për ofertën “merre ose leje”. E sipas Hamitit kjo nënkupton se Kurti e ka kuptuar tashmë presionin ndërkombëtar, por vonë si gjithherë sipas tij.
Kujtojmë se Kryeministri Kurti, para pak kohësh deklaronte se ai nuk e di se si duket presioni ndërkombëtar, dhe se ai nuk ndikohet e as nuk shantazhohet nga një presion i tillë.
Tutje Hamiti ka shkruar për kundërthënjet sipas tij që ka bërë Kurti, gjatë fjalimit sot në Kuvend.
Shkrimi i plotë i Hamitit:
“Ata [emisarët] ma bënë të qartë që propozimi kryesor këtë herë është fare pranë formatit merre ose leje. Nuk do të lejohet praktikisht hapja apo negocimi i tij”, tha kryeministri Kurti sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Më tej, po Kurti: “Dhe nuk mund të pritet një ‘jo’ nga Kosova sepse do të hynim në një rrugë të konfrontimit me ta. Ata gjithashtu ma bënë të qartë se çfarëdo refuzimi i propozimit do të shoqërohet me hapa kundërshtues e ndëshkues diplomatikë për Kosovën dhe do të krijojë dobësim serioz të mirëbesimit”.
E solli punën Albin Kurti t’i thonin emisarët evropianë, siç e pranoi vetë sot në Kuvend, ‘merre ose lëre’ marrëvëshjen ashtu siç është, pa mundësi negocimi të mëtejmë, me pasoja serioze për Kosovën po t’u thoshte ‘jo’,
Në të njëjtën kohë, në paraqitje në Kuvend, Kurti i atribuoi Qeverisë së vet merita për avancim të dialogut Kosovë – Serbi.
Domethënë është bërë më mirë, sipas kryeministrit Kurti, ndonëse korniza e dialogut, më saktë produkti i tij, propozimi franko-gjerman, me sa duket nuk e ka njohjen as në qendër as në periferi, të cilën ai po e maskon me gjoja njohjen de facto të Kosovës nga Serbia. Po ashtu e pranoi edhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, duke përfshirë për Asociacionin, që e kundërshtonte si Zajednicë, por po e pranon (‘me kushte’) si Asociacion.
Presionin ndërkombëtar e kuptoi Kurti, më në fund. I kupton gjërat me vonesë, si gjithëherë.