“Mërgata kundër Asociacionit”, Elvis Hoxha shpërndan thirrjen për protestë në Berlin
Elvis Hoxha është anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje. Përtej funksionit që aktualisht ka, z. Hoxha llogaritet si një njëri me ndikim në VV. Madje, ditë më parë, Milazim Krasniqi, profesor universitar, e kishte cilësuar si “shef politik të Albin Kurtit”, kryeministrit të Kosovës.
I fuqishmi i VV-së, pra z. Hoxha, që njihet edhe si ideolog i partisë më të madhe në pushtet, ka postuar një fotografi në të cilën bëhet ftesë për një protestë. Sigurisht lehtë e rrokshme: protestë kundër Asociacionit. Por kësaj radhe jo në Kosovë, por në Berlin, kryeqytetin e Gjermanisë, një shteti mik i Kosovës.
Madje, në afishe është treguar edhe koha kur do të mbahet protesta.
“Me datën 11.02.2023, ora 14:00 e shtunë në Berlin përballë Bundestagu-ut mbahet një protestë! Kundër Asociacionit!” – shkruhet në këtë thirrje të shpërndarë nga Hoxha.
“Mërgata kundër Asociacionit” – shënohet në këtë pankartë tutje.
Ndërsa Hoxha i është gëzuar kësaj thirrje, duke shkruar se “Sa më shumë protesta, sa më shumë protestues!”.